Lirohet banori i Astirit/ Balliu: Projekti u zgjerua, rezistenca nuk do të ndalet

14 Nëntor 2019, 12:53 | Përditesimi i fundit: 2019-11-14 14:54:58

Është liruar një prej banorëve të Astirit, Shkëlzen Sadikaj i cili u vu në pranga për shkak se kundërshtoi punonjësit e IKMT dhe policinë e shtetit dy ditë më parë ku u prishën 33 objekte që prekeshin nga  projekti i Unazës së Re.

Pas arrestimit të tij policia sqaroi se ai është ndaluar për shkak se akuzohet për veprën penale “Kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë së rendit”, por në seancën e zhvilluar, gazetari i Report Tv bën me dije se ndaj Sadikajt nuk është gjetur asnjë akuzë kështu që ai është lënë i lire.

Ndërkohë, në lidhje me këtë ka reaguar edhe ish deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu i cili ka thënë se arrestimi i tij ishte i jashtëligjshëm, ndërsa ka nxitur banorët që të mos e ndalin protestën.

Ndërkohë Balliu ka hedhur akuza edhe ndaj projektit të Unazës së Re duke thënë se projekti në fjalë është zgjeruar me 48 metra. Kështu sipas tij, shkelja është akoma më e  rëndë.

"Ishte ndalim i paligjshëm i Shkëlzen Sadikaj, dhuna është e paligjshme. Ndalimi është i paligjshëm do të thotë që drejtësia ka ndërhyrë në Unazë në mënyrë të paligjshme. Kjo vërteton se aty janë shkelur ligjet shqiptare. fakton ligjshmërinë e një viti protestë. Cdo arrestim i këtyre pronarëve ka qenë i jashtëligjshëm. Ne do të çojmë për ndjekje penale të gjithë prej tyre. Sot kanë korrur një fitore. Ajo është protestë historike. Këta e kanë fituar betejën se do të dëmshpërblehen. Banorët do të shijojnë banorët. Në Shqipëri duhet bllokuar çdo rrugë. Edi Rama dhunon qytetarët. Ka ardhur koha ta ndryshojmë. " tha Balliu.

    No videos found.