Liroi Florenc Çapjan, gjyqtari i përgjigjet policisë me vendim: Nuk ka prova, Fadil Mema ndryshoi dëshminë

23 Dhjetor 2019, 13:58

TIRANË -  “Prokuroria Shqiptare ka vendosur dy herë në 2006 dhe 2007 pushimin e ndjekjes penale ndaj Florec Çapjas për tentativën e vrasjes së ish-policit rrugor Fadil Mema dhe për pasojë ky i pandehur nuk mund të gjykohet, pa pasur prova të reja në dosj”. Ky është argumenti kryesor që gjyqtari paraprak Tomor Kullolli, përdori për të pushuar çështjen penale kundër Florenc Çapjas, i akuzuar për “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Me këtë argument gjyqtari Kullolli, i përgjigjet prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, e cila një ditë pas vendimit për pushimin e dosjes, reagoi duke shfaqur zhgënjimin e thellë për këtë vendimmarrje duke paralajmëruar apelimin e vendimit. "Lidhur me këtë ngjarje nga ana e organit të akuzës nuk rezulton asnjë provë indirekte se autor i ngjarjes është i pandehuri Florenc Çapja. Po ashtu dhe asnjë provë shkencore që të provojë se Florenc Çapja, ka qenë atë ditë në vendngjarje”, - thotë gjyqtari Kullolli.

 “Shqiptarja.com” zbardh të plotë vendimin e seancës paraprake, me anën e të cilit, gjyqtari i Elbasanit Kullolli, vendosi të mos kalojë për gjykim dosjen e prokurorisë dhe për pasojë solli lirimin e menjëhershëm nga qelia të Florenc Çapjas. Në vendimin prej 44 faqe, ku në vetëm 5 faqe gjyqtari Kullolli futet në argumentim, ai kapet pas deklaratës që i ndjeri Fadil Mema, ka dhënë në seancën gjyqësore të sigurimit të dëshmisë, ku në fakt ka ndryshuar thëniet e tij, dhe ka mbajtur qëndrim mohues në gjykatë, për autorin Florenc Çapja.