Liruan të dënuarin për drogë nga qelia/ Pushohet akuza për kryekomisarin, i pandehur vetëm një polic

27 Dhjetor 2019, 19:41 | Përditesimi i fundit: 2019-12-27 21:38:24

Hetimi për lirimin nga ambientet e komisariatit të Kukësit të kosovarit Naser Gashi, i dënuar me 7.4 vite burgim për trafik droge, ka përfunduar në gjykatë me vetëm një të pandehur. Kujtim Spahia, një efektiv policie me detyrë specialist i Policimit në Komunitet, është marrë i pandehur nga prokuroria e Lezhës, për këtë rast të lirimin nga dhomat e shoqërimit të një trafikanti droge, i cili u kap në kufirin e Morinës, teksa kërkonte të kalonte nga Shqipëria në drejtim të Kosovës.

Ndërkohë ndjekja penale është pushuar për ish-shefin e komisariatit të Kukësit, Agim Basha, dhe dy policët e tjerë, Shkëlzen Ibaj dhe Ferdinand Gjeta. Nga ky hetim ka shpëtuar dhe prokurorja e Kukësit, Rita Gjati, e cila në rrethana të dyshimta dhe krejt të paqarta firmosi lirimin e Naser Gashit.

Naser Gashi, kërkohej prej 5 vitesh nga drejtësia shqiptare pasi ishte dënuar me 7.4 vite burgim për “Trafik të narkotikëve”. Sipas dosjes së prokurorisë mbrëmjen e 17 tetorit 2018, Gashi së bashku me shokun e tij Ron Nimani, kanë tentuar të dalin nga Shqipëria në Kosovë, me një makinë "Audi" duke përdorur pikën e kalimit kufitar Morinë. Pikërisht në këtë pikë kufitare, ata i janë nënshtruar kontrolleve, ku Gashi ka paraqitur dokumente identifikuese me emrin Saimir Bula. Si pasojë e dyshimeve të ngritura mbi këto dokumente, është vendosur nga policia kufitare që kosovari të shoqërohet në Drejtorinë e Policisë Kukës, ku t’i nënshtrohet identifikimit nëpërmjet gjurmëve të gishtave. Por edhe pse u bë identifikimi që personi i shoqëruar nuk ishte Saimir Bula por i shumëkërkuari Nasër Gashi, me një urdhër të dyshimtë Prokurorja e Kukësit, Rita Gjati, firmosi urdhrin e lirimit të menjëhershëm, vendim i cili u ekzekutua nga Policia në datë 18 tetor 2018. Si për ndalimin por edhe për lirimin e trafikantit, Policia e Kukësit nuk dha asnjë njoftim për mediat, duke e nisur që në atë kohë fshehjen e kësaj ngjarjeje.

Skandali i nxjerrjes nga qelia të trafikantit Gashi, madje edhe duke i kthyer pasaportën dhe kartën e identitetit kosovare të falsifikuar me emrin “Saimir Buli”, bëri “kurban” zv/drejtorin e hetimit në Drejtorinë e Kukësit Shkëlqim Pepkolaj, i cili u pezullua nga detyra, duke u vënë në procedim disiplinor.

Por pas hetimeve prokuroria lëshoi urdhër-arrestet për drejtuesit e komisariatit të Kukësit Agim Basha, i cili në atë periudhë ju fsheh drejtësisë. Më pas kërkimi ndaj Agim Basha u ndërpre derisa ju pushua totalisht çështja. Naser Gashi rezulton se është dënuar nga Nertina Kosova më 21 shkurt 2013 me 7 vite e 4 muaj burg për trafik droge, vendim i lënë në fuqi edhe nga apeli i krimeve.