LISTA e shteteve që u solidarizuan me Shqipërinë për ringritjen pas tërmetit

17 Shkurt 2020, 22:15 | Përditesimi i fundit: 2020-02-18 12:59:55

BRUKSEL - Konferenca e Donatorëve "Bashkë për Shqipërinë" organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel, mblodhi 1.15 miliardë euro grante, hua, e fonde për projekte zhvillimi nga rreth 100 vende që morën pjesë në këtë konferencë për të shprehur solidaritetin ndaj Shqipërisë në përpjekjen për t'u ringritur pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019 që la pas 51 viktima, qindra të plagosur dhe mijëra të pastrehë nga godinat e rrënuara e të dëmtuara. Bashkimi Evropian i dhuroi Shqipërisë 100 milionë euro, ndërsa Komisioni Evropian 15 milionë. Këto janë grante, dhuratë dhënë qeverisë shqiptare për t'i shfrytëzuar në procesin e rindërtimit. Për këtë proces, Komisioni evropian do të sjellë në Shqipëri një grup ekspertësh të cilët do të monitorojnë dhe mbikëqyrin transparencën në mënyrë që çdo cent i dhuruar të shkojë në ndihmë të shqiptarëve. Nga institucionet e rëndësishme bankare të komitetit ndërkombëtar, pjesë të BE-së, vlera shkon në 400 milionë euro kontribute, nga të cilat vetëm 115 milionë euro, grante. 

Mbizotëroi zemërgjerësia e Francës. Qeveria e Macron i dhuroi Shqipërisë 100 milionë euro të cilat do të shpërndahen përmes projekteve zhvillimore, pra jo në vlerë parash por në ndërtime, si dhe 60 milionë euro të dhëna hua, çka do të thotë se në një kohë të caktuar, Shqipëria duhet t'ia kthejë pas

Emiratet e Bashkuara gjithashtu, në këtë konferencë solidariteti ndërkombëtar me Shqipërinë, dhuruan 70 milionë euro, vlerë që do ta shfrytëzojnë për ndërtimin e 2 mijë njësive të banimit. 

Italia po ashtu i dhuroi Shqipërisë fqinje 65 milionë euro të cilat gjithashtu do të akordohen përmes projekteve në sektorë të caktuar.

Ndërkohë, Turqia, e cila ishte e para që u vetëofrua për të ndërtuar mbi 500 njësi banimi, nga konferenca e Donatorëve këtë 17 shkurt në Bruksel, bëri të ditur se vlera totale e ndihmave që ajo i dhuron Shqipërisë, së bashku me blloqet e banimit, shkon në 46.3 milionë euro, përfshirë edhe ndërtimin e disa xhamive.

Holanda, Danimarka e Polonia, Slovenia, Finlanda e Austria dhuruan shifra të konsiderueshme, ndërkohë që edhe pse në shifra më të vogla, nuk mungoi mbështetja nga Çekia, Hungaria, Rumania, Luksemburgu e Bullgaria, të cilat u solidarizuan për të marrë përsipër projekte ndërtimi në Shqipëri, veçanërisht në kopshte e shkolla, për sektorin arsimori i cili ishte i dyti më i prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.  Kosova jonë fqinjë gjithashtu u tregua solidare në këtë Konferencë të Donacioneve, ku pas ndihmave të dhëna vendit tonë menjëherë pas tërmetit me grupe të kërkim-shpëtimit e me hapjen e dyerve për të pastrehët, dhuroi 200 mijë euro për rindërtimin.

    No videos found.