Lista ekskluzive/ 57 ligjet që u tërhoqën në Kuvend, nga nisma për ‘disiplinimin’ e Metës, heqja e dekoratave deri tek Byroja e Hetimit

13 Qershor 2020, 17:35

Pesëdhjetë e shtatë projektligje janë tërhequr në heshtje nga shqyrtimi dhe votimit Kuvendi, gjatë periudhës 2015-2020. 38 nisma ligjore të tërhequra pas depozitimit në Kuvend, janë propozuar nga deputetët, ndërsa 19 nga qeveria. 14 projektligje të tërhequr rrugës ishin nisma ligjore të reja, ndërsa 34 projektligje parashikonin ndryshimin e ligjeve ekzistuese. Gjatë kësaj periudhe kanë rrëzuar 15 projektligje me votë në Kuvend, 14 të propozuar nga deputetë dhe një nga qeveria, konkretisht projektligji për miratimin e niveleve të tarifës doganore.

Ndërkaq, mes ligjeve që janë tërhequr pas deponimit në Kuvend, është edhe ligji për funksionimin dhe organizimin e Presidencës. Nisma është propozuar nga deputeti Ulsi Manja në fund të vitit 2016, ndërsa parashikonte edhe mënyrën e shkarkimit të Presidentit. Nisma ligjore u tërhoq pa u shqyrtuar në komisionet parlamentare. Mes nismave të tërhequra përfshihet edhe projektligji për ndryshimin e ligjit për Policinë e Shtetit, ku parashikonte që Byroja Kombëtare e Hetimit të ishte një strukturë e veçantë në varësi të ministrit të Brendshëm. Nisma u propozuar në vitin 2016 nga qeveria, por që u kundërshtua edhe nga Ambasada Amerikane.