TIRANE-Partia Socialiste e Shqipërisë ka zyrtarizuar listën me emrat e kandidatëve për bashkitë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Report Tv mëson se Partia Socialiste ka vendosur 58 kandidatë, ndërsa për 3 të tjerë, Peqinin, Selenicën dhe Hasin vendimi është shtyrë deri në mbrëmje pasi ka disa dilema. 23 kandidatë janë rikonfirmuar. Në Durrës nuk do të rikandidojë më Vangjush Dako pas 12 vitesh drejtim të qytetit bregdetar, pasi PS-ja ka zgjedhur që të garojë në 30 qershor me Valbona Sakon.
Sako ka përfunduar studimet e larta për Financë në vitin 1993, ndërkohë që prej 20 vitesh është pjesë e administratës fiskale të qytetit të Durrësit. Ajo mban postin e Drejtoreshës së Tatimeve prej 6 vitesh në Durrës, është e martuar dhe nënë e dy vajzave. Edhe në Dibër do të kandidojë sërish një socialist që ka qenë në drejtimin e institucionit të Tatimeve, Dionis Imeraj. Emrat u vulosën në mbledhjen e sotme të Kryesisë së socialistëve pas takimit me drejtuesit politikë të cdo qarku.
Në përfundim të mbledhjes, kryeministri Edi Rama u shpreh se kandidatët për bashkitë dhe këshilltarët do të prezantohen nesër nga drejtuesit politikë në cdo qark, ndërsa shtoi se tashmë PS-ja është gati për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 30 qershorit. "Siç e dini, sot kemi pasur mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste për të miratuar kandidaturat për 61 bashkitë, si dhe për të diskutuar për formësimin listave përfundimtare për Këshillat e Bashkive.