LIVE - Ish-deputetët e opozitës dhe protestuesit mblidhen para Drejtorisë së Policisë

21 Mars 2019, 14:34

Pas më shumë se tre orëve para Kuvendit të Shqipërisë, në tentativa të shumta për të çarë kordonin e policisë vendosur tek Parlamenti, tubimi i gjashtë i opozitës ka ndryshuar kurs, duke shkuar tek Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Gjatë protestës tek Kuvendi, pati tension në disa momente të përsëritura për të çarë kordonin para Kuvendit, brenda të cilit deputetët mbajnë seancë plenare. Pas tentativave të cilat janë ndalur nga policia, protestuesit dhe ish-deputetët e opozitës janë ulur këmbëkryq përpara parlamentit.

Protesta udhëhiqet nga ish-deputetë të PD-së dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, pasi lideri demokrat Lulzim Basha prej ditës së djeshme ndodhet në Bruksel. Para Kuvendit u mbajtën disa fjalime nga përfaqësues politikë, ku Kryemadhi nxiti turmën e mbështetësve për të mos bërë asnjë hap pas. "Ta djegim, nuk ka hap", tha ajo, ndërsa menjëherë simpatizantët u sulën drejt kordonit të parë të sigurisë para Kuvendit, pa mundur të çajnë kordonin e efektivëve të policisë në mbështetje të të cilëve janë vënë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. në përplasjet e vazhdueshme me policinë, në këtë protestë nuk u përdor gazi lotsjellës, por u desh të përdorej vetëm një herë uji me presion në momentin kur nga brenda selisë së PD-së hidheshin gurë drejt Kuvendit.

Përplasjet nisën që në nisje të tubimit, me ish-deputetin Klevis Balliu që bashkë me banorët e zonës së "Astirit" që kundërshtojnë projektin e Unazës së Re, tentuan të çajnë kordonin e policisë tek ministria e Brendshme.