LIVE / Protesta e 7-të e opozitës kundër qeverisë - Për lajme të tjera klikoni në www.shqiptarja.com

2 Qershor 2019, 18:55

Vetëm një ditë pas hapjes së fushatës për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, opozita joparlamentare i rikthehet protestës në orën 19:00. 

Kjo është protesta e 7 kombëtare e thirrur nga partitë opozitare dhe sipas krerëve të PD-së dhe LSI-së do të ketë një pjesëmarrje të madhe në tubim.

Kujtojmë se kjo protestë ishte parashikuar që të mbahet 31 maj, por data u shty për ditën e sotme për shkak se data e parë e parashikuar përkonte me natën e Kadrit për besimtarët mysliman. Protesta e fundit e opozitës ishte ajo e 25 majit dhe kryesisht ishte një protestë jo e dhunshme, ndryshe nga protestat e mëparshme kombëtare, ku u hodhën bomba molotov, shashka, kapsolle e mjete të tjera piroteknike.

Nga ana e faktorit ndërkombëtar është bërë thirrje që protestat të jenë demokratike dhe kanë dënuar çdo lloj dhune që mund të shfaqet, madje ata kanë bërë thirrje që të gjendet një zgjidhje ku palët duhet të ulen në dialog pa kushte. Dialog ka kërkuar edhe kryeministri Rama, ku prej disa ditësh i është drejtuar kreut të opozitës, Lulzim Basha me letra të hapura ku e fton të ulet në tryezë pa kushte.

Pavarësisht kësaj opozita nuk është bindur. Ende nuk dihet skenari që do të ketë në protestë por prej ditësh ky tubim është fryrë nga liderët opozitar dhe janë treguar të vendosur të paktë sipas tyre që të mos i ndërpresin protestat deri në largimin e kryeministrit Rama dhe ngritjen e një qeverie tranzitore.