Nga Kodi Penal, te ligjet e drejtësisë, koncesionet e Balldrenit dhe Orikumit/ 15 ligjet e miratuara dhe ata që u shtynë

18 Korrik 2019, 10:27 | Përditesimi i fundit: 2019-07-18 22:14:01

TIRANE-Kuvendi i Shqipërisë e mbylli këtë sesion parlamentar me 15 ligje të miratuara në seancën e sotme, ndërsa disa u shtynë për në shtator. Parlamenti miratoi me 96 vota pro 7 ndryshimet në Kodin Penal ku ashpërsohen dënimet për dhunën ndaj mjekëve, policëve, dhunën në sport, sigurinë ushqimore, por edhe të tjera, ndërsa u tërhoqën nga amendamenti i deputetit Ervin Bushati për krimet zgjedhore, pra ndalimin e daljes për 10 vite jashtë vendit të atyre që dënoheshin për krimet zgjedhore. Kaluan me 106 pro, 1 kundër, 1 abstenim ligjet e mbartura prej 2 vjetësh të reformës në drejtësi. Ligji për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ai për organet e qeverisjes së drejtësisë.

Pikat e tjera të nxehta në rendin e ditës ishin koncesionet. Shumica vetëm me votat e saj miratoi kontratat për dy rrugët Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara, ndërsa kaloi edhe kufizimin e ri për PPP-të për rrugët pas kritikave të FMN-së. Ndryshimi në projektligj konsison te propozimet e pakërkuara për rrugët nacionale, heqjen e bonusit për këto propozime përfshi një kontroll më të madh në të gjitha fazat nga ministria e Financave. Kaloi gjithashtu edhe Rregullorja e Kuvendit, e dakordësuar me opozitën, por edhe projektligji me ndryshimet për asistencën sociale dhe duhanin.

Ndërsa për në sesionin e ri parlamentar në vjeshtë u shtynë; projektvendimi për emërimin e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, projektligji për ndryshimet për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, propozimi i Presidentit për Petraq Milon në krye të KLSH-s si dhe ai i 28 deputetëve për shkarkimin e Arben Malajt nga Bordi Drejtues i Bankës së Shqipërisë.

Të gjitha ligjet e miratuara sot në Kuvendin e Shqipëri
Miratohen me 96 vota pro 7 ndryshimet në Kodin Penal
Miratohet me 96 vota pro projektligji për mbrojtjen civile
Miratohet me 96 vota pro projektligji për mbrojtjen e faunës së egër
Miratohet me 106 pro, 1 kundër, 1 abstenim projektligji për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë
Miratohet me 106 pro, 1 kundër, 1 abstenim projektligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve
Miratohet me 106 projektligji për marrëveshjen e huasë së Fondit Shqiptar me KFW-në
Miratohet me 84 pro, 1 kundër, 1 abstenim projektligji për koncesionet dhe partneritetin publik privat (Kufizimet)
Miratohet me 78 pro, 26 kundër, 4 abstenim koncesioni për rrugën Orikum - Llogara
Miratohet me 78 pro, 26 kundër, 4 abstenim koncesioni për rrugën Milot - Balldren
Miratohet me 81 pro, 22 kundër, 3 abstenim projektligji për Akademinë e Shkencave
Miratohet me 96 vota pro, 4 kundër, 7 abstenim projektligji për nismën e qytetarëve (Mund të paraqesin projektligje në Kuvend)
Miratohet me 89 vota pro projektligji për ndryshimet për taksat kombëtare
Miratohet me 107 pro, 1 kundër, 1 abstenim projektvendimi për Rregulloren e Kuvendit
Miratohet me 92 vota pro, 12 kundër, 2 abstenim projektligji për ndryshimet e ligjit për duhanin
Miratohet me 89 vota pro projektligji për asistencën sociale
Shtyhet me kërkesë të opozitës projektvendimi për emërimin e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare
Shtyhet projektligji për ndryshimet për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit