Për të shtatën herë opozita shqiptare jo parlamentare proteston kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, në një ditë kur Kuvendi mban seancë plenare, e cila ndër të tjera do të finalizohet me betimin e tre deputetëve të rinj që pranuan mandatin në zëvendësim të opozitës që doli jashtë Parlamentit. Pa një skenar të bërë publik, opozita i ka mbledhur protestuesit para Kuvendit, ndërsa një pjesë e tyre qëndrojnë tek Ministria e Brendshme aty ku ministri Sandër Lleshaj pret një delegacion holandez të kryesuar nga ministri i Sigurisë dhe Drejtësisë së Holandës.
Pjesë e rendit të ditës të seancës së sotme janë ndryshimet në ligjin për vettingun në polici, si dhe një ratifikim marrëveshjeje financimi. E ndërsa protesta është njoftuar nga opozita para parlamentit, masat i ka marrë edhe Kryeministria. Hyrja e selisë së qeverisë është 'vulosur' me pllaka metalike. E njëjta metodë u ndoq edhe në protestat e shkuara, disa prej të cilave kanë degjeneruar në dhunë.