Lleshaj 'dush të ftohtë' kryebashkiakëve: Na keni lënë të vetëm përballë krimit! Kontrolle me polic komunitar e dron

6 Dhjetor 2020, 14:59

TIRANË- Policia e Shtetit është lënë e vetme në luftën përballë krimit dhe kontrollin e territorit për të ofruar rend dhe siguri. Është ky konstatimi i Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj i cili në strategjinë ndërsektoriale për sigurinë në komunitet për 5 vitet e ardhshme kërkon angazhimin e 61 kryebashkiakëve në këtë sfidë e cila nis nga kanabisi, krimet mjedisore, krimet ndaj pronës jetës, e deri tek dhuna.

Ndër risitë e kësaj strategjije janë futja e teknologjisë së patrullimeve me dron, angazhimin e strukturës së policisë bashkiake si dhe zyra policie në çdo bashki për kordinimin e kontroll të territorit.

Në dokumentin e siguruar nga Report Tv për strategjinë e sigurisë për vitin 2021-2026 theksohet se pushteti lokal neglizhon kryerjen e detyrave duke e lënë vetëm policinë.

"Strukturat vendore të Policisë së Shtetit janë të organizuara dhe të ndara në të gjithë territorin dhe ushtrojnë përgjegjësitë e tyre funksionale dhe realizojnë detyra në kontrollin e territorit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale dhe të paligjshmërisë në territor, por aktorët e tjerë vendorë që kanë detyrime për kontrollin e territorit, nuk ushtrojnë përgjegjësitë që i ngarkon ligji ose i ushtrojnë ato në nivele minimale", thuhet në raport.