Lleshaj: Hapim dyert për studentët, etapë e rëndësishme e modernizimit

21 Dhjetor 2018, 15:09

Ushtarakët me grada mund të pranohen në Polici dhe studentët ekselentë mund të bëhen oficerë pa konkurs. Janë këto dy ndryshimet kryesore në ligjin për Policinë e Shtetit, të cilat morën miratimin e Parlamentit. Ushtarakët me grada që janë të trajnuar e specializuar, si xheniot apo kategori të tjera, me marrëveshje mund të bëhen pjesë e strukturave të Policisë, por jo në nivel drejtues.

Pranimi i ushtarakëve bëhet me marrëveshje mes Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Mbrojtjes dhe do të ketë koha të përcaktuar ccdo vit.

Ndërkohë studentët me rezultate të larta në degët ekonomi, financë, informatikë, elektronikë dhe jurisprudence mund të vazhdojnë Akademinë e Sigurisë pa konkurs dhe menjëherë më pas do të gradohen nënoficerë dhe mund të bëhen pjesë e uniformave blu.

Janë 775 vende të lira në Policisë që studentët e ekselencës mund përfitojnë. Të gjitha vendet vakante sipas Ministrisë së Brendshme do të plotësohen me pranimin e studentëve të ekslencës dhe ushtarakëve.

Pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Policinë e Shtetit, ka reaguar Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.

Në një postim në rrjetet sociale Lleshaj thotë se Policia e Shtetit do të hapë dyert e Akademisë për studentët që kanë përfunduar me rezultate të larta, të cilët më pas mund të integrohen në strukturat e hetimit në Polici.