Lleshaj kërkon ndryshime për vettingun në policinë e shtetit

28 Mars 2019, 14:04

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kërkoi sot votën pro miratimit të ndryshimit në ligjin për vettingun në polici, që ka qëllim shtyrjen e afatit të vettingut në polici, pasi deri tani ligji parashikon përfundimin brenda marsit të 2020. Një tjetër pikë që parashikohet në ndryshimin e ligjit lidhet me procesin. Lleshaj propozon që komisioni i jashtëm të bëjë vetëm fazën e parë të drejtuesve të lartë, ndërsa më pas punonjësit e policisë ti kalojë në filtër SHCBA-ja (Shërbimi për Cështjet e Brendshme dhe Ankesave).

"Problemi themelor  që lidhet me këtë situatë ka të bëjë me kohën, e cila është në dispozicion për të mbyllur procesi e Vettingut. Sipas ligjit aktual, procesi i Vettingut për 13 mijë punonjës të Ministrisë së Brendshme duhet të mbyllet në marsin e vitit të ardhshëm, ndërkohë që procesi ende nuk ka filluar dhe praktikisht është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që ky proces të mbyllet ashtu sikundër ligji e parashikon, pra në marsin e vitit të ardhshëm. Së pari, propozohet që punonjësit e SHÇBA-s, e cila është strukturë e dedikuar për t’u kujdesur për integritetin e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës,  të kalojnë Vettingun në fazën e pare të tij. Ligji aktual parashikonte që SHÇBA-ja të kalonte në një fazë të dytë, jo në fazën e parë. Ne propozojmë që SHÇBA të kalojë në fazën e parë me qëllim që SHÇBA-ja të shndërrohet në aktorin kryesor të procesit për më tej, ashtu sikundër  e parashikon dhe ligji organik i saj, si strukturë, siç e përmenda më parë, ekziston për t'u kujdesuar që Policia e Shtetit dhe Grada e Republikës të jenë struktura të pastra, me integritet dhe të angazhuara vetëm në shërbim të ligjit dhe në asnjë lloj shërbimi tjetër.