Lleshaj: Krimi në vend ka pësuar ulje! Në 2020 u regjistruan 44 vrasje, kemi goditur 30 grupe kriminale

16 Nëntor 2020, 11:35 | Përditesimi: 16 Nëntor 2020, 11:35

Në përgjigje të pyetjeve të deputetit të opozitës parlamentare, ministri Sandër Lleshaj ka renditur disa parametra dhe shifra ku sipas tij, ato paraqesin pasqyrën e kriminalitetit në vendin tonë.

Lleshaj tha se vrasjet kanë pësuar ulje që prej vitit 2013 ku në 2020, niveli i tyre për 100 mijë banorë është 1.7 në krahasim me vende të tjera të BE-së që e kanë 1.2.

"Në vitin 2019 janë regjistruar 58 vrasje dhe 44 në 2020. Niveli i vrasjeve për 100 mijë banorë është 1.7 nga 1.2 që është në BE. Krimi i armëmbajtjes pa leje ka pësuar rënie. Sa i përket çështjeve të sigurisë rrugore janë parë përmirësime. Në vitin 2020 kemi një ulje të madhe të viktimave të aksidenteve rrugore. Task forca merret me hetimin e krimit të organizuar ndërsa OFL merret me pasuritë. Në vitin 2020 janë goditur 30 grupe kriminale. Kemi bërë të mundur arrestimin e personave të grupeve famëkeqe kriminale" - tha Lleshaj.

Ministri vijoi dhe me punën e bërë nga OFL për të cilën tha se deri më tani janë referuar 1881 pasuri të nxjerra nga krimi.

Ndërsa dhe për luftën kundër kanabisit ai tha se këtë vit u asgjësuan më shumë bimë narkotike se sa një vit më parë.

b.ha./Shqiptarja.com