Lleshaj: Ndryshimet në Kodin Rrugor brenda pak javësh në Kuvend! Jemi mbrapa BE!

21 Tetor 2020, 10:55 | Përditesimi i fundit: 2020-10-21 15:46:35

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një mbledhje me drejtuesit e sektorit të Policisë Rrugore në Shqipëri, në kuadër të zbatimit të masave për rritjen e sigurisë në rrugë. Në fillim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, prezantoi të dhënat 9-mujore ku bien në sy ulja e numrit të përgjithshëm të aksidenteve, numrit të viktimave, të plagosurve rëndë etj.

Zyra e shtypit të Ministrisë së brendshme bën me dije se brenda pak javësh, në Kuvend pritet të shkojë paketa me ndryshime në Kodin Rrugor, e cila parashikon ashpërsimin e masave për një sërë shkeljesh.

Ministri Lleshaj, gjatë fjalës së tij, u kërkoi drejtuesve qendrorë dhe vendorë të Policisë Rrugore, të fokusohen në punën e tyre në disa drejtime të rëndësishme, nën moton “Vizion zero”, që synon zero viktima deri në vitin 2050.

"Në qoftë se do t’u referohemi treguesve krahasimorë për vitin 2020 dhe të njëjtës periudhë të vitit 2019, konstatojmë se kanë ndodhur 985 aksidente rrugore, me 141 të vrarë, 143 të plagosur rëndë dhe 988 të plagosur lehtë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 kemi, më konkretisht 233 aksidente rrugore më pak, ose -18 % më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar; 19 të vrarë më pak, ose -12 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar; 64 të plagosur rëndë më pak, ose -33%, dhe 324 të plagosur lehtë, më pak, ose -26%.