Lleshaj: Nga nesër rregullat e reja në të gjitha tregjet! Lezha pamje krejtësisht tjetër nga Shkodra

6 Prill 2020, 12:57 | Përditesimi i fundit: 2020-04-06 15:34:30

Nga dita e nesërme rregullat e reja për të bërë pazare do të vendosen në të gjitha tregjet e hapura të fruta-perimeve ku ka prezencë të madhe të qytetarëve, për t'u disiplinuar në radhë dhe me maska, doreza e dezifenktim, edhe nga prezenca më e shtuar e policisë në tregjet problematike. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj inspektoi situatën në tregjet e Lezhës, ku tha se ky qytet ofroi tjetër panoramë nga Shkodra problematike, megjithatë ka ende punë për të bërë në respektimin total të rregullave që frenojnë përhapjen e koronavirusit.

"Në Lezhë ka një pamje krejtësisht tjetër nga ajo në Shkodër. Rregullat e reja i kanë dhënë një pamje tjetër qytetit, megjithatë sado mirë të jetë krahasimisht edhe këtu situata ka nevojë për t'u përmirësuar më tej, dhe mora garancinë e kryetarit të Bashkisë së Lezhës. Duke filluar nga nesër në gjithë vendin do të aplikohen standarde të reja për tregjet ushqimore të hapura me qëllim të ruhet distanca. Gjej rastin t'i apeloj qytearëve të kujdesen në maksimum për vetveten. Fatkeqësisht edhe në Lezhë pati një shpërthim të papritur", tha Lleshaj.