Lleshaj: Tani nuk kemi marrë leje! Policia e Shtetit ka në dorë sigurinë e brendshme të aeroportit...edhe kamerat

19 Prill 2019, 21:51

Në kushtet kur siguria në aeroportin e Rinasit u cënua me grabitjen në mes të pistës së avionit, ministri Lleshaj tha se Policia e Shtetit u detyrua të mos zbatojë më marrëveshjen me koncensionarin, duke marrë në dorë sigurinë e brendshme të aeroportit që deri para grabitjes ishte detyrë e policisë private nga koncensionari.

"Ne ishim në këtë situatë, që na u demonstrua në mënyrën më të papranueshme që aeroporti na u cënua. Unë me 10 prill urdhërova policinë e Shtetit të marrë kontrollin e sigurisë së brendshme dhe të aeroportit. Është koordinuar që perimetrin e jashtëm ta mbajë ushtria.

Tani nuk kemi marrë leje, nuk mund të rrihej më në këtë marrëdhënie, policia ka akses tek kamerat që nuk ka pasur më parë. Parametrat e sigurisë janë kthyer në maksimumin e tyre. Do punohet me koncensionarin që ai të përmbushë të gjitha detyrimet", tha Lleshaj.

Për ministrin e Brendshëm, ushtria është në vendin e vet, në tokën e vet, duke bërë një mision për sigurinë e qytetarëve, brenda rendit kushtetues.

"Ditët e para shkaktuan alarm, derisa pati zëra për kushtetutshmërinë e këtyre lëvizjeve. Unë shoh mjete ushtrie që i shërbejnë sigurisë së vendit", u shpreh ministri.