Lobimi i 675 mijë dollarëve, Gjykata pushon çështjen për Bashën dhe zyrtarët e PD-së

13 Janar 2020, 17:02 | Përditesimi i fundit: 2020-01-13 18:09:30

TIRANE-Gjykata e Tiranës në gjyqin paraprak që u zhvillua ditën e sotme ka vendosur pushimin e çështjes për kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, ish-sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe financierin e partisë Ilir Dervishi.

Kështu dy vite hetime nga prokuroria e Tiranës, gjyqtari Lazer Sallaku i ka cilësuar të pavlefshme duke rrëzuar akuzat e ngritura nga organi i akuzës për falsifikim kundër Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD-së, pasi sipas tij nuk faktohet një gjë e tillë. Sipas gjyqtarit, thotë gazetari i Report Tv Arsen Rusta, Basha dhe dy zyrtarët e PD-së nuk janë përgjegjës për akuzën e falsifikimit që u ngrit nga prokuroria duke pushuar hetimet e prokurorisë për t'i marrë të pandehur.

Tashmë pritet vendimi i prokurorisë nëse do ta ankimojë. Por përplasja mes prokurorëve vijoi edhe seancën e sotme. Me kërkesë të drejtueses së prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj u kërkua përjashtimi i prokurorit Ervin Karanxha, që gjyqtari e miratoi, ndërsa dy prokurorët e tjerë që ishin të pranishëm Gjergji Tako dhe Kolë Hysenaj ishin të ndarë. Hysenaj kërkoi shtyrjen e afateve me qëllim pyetjen e lobistit Nick Muzin, ndërsa Tako dërgimin e cështjes në gjyq, ndërsa prokuroria e pushoi.