Lobimi rus i PD/ Akuzohet se fshehu financimin prej 650 mijë dollarësh, zgjaten hetimet për Bashën

15 Tetor 2019, 13:21

TIRANË-  Prokuroria e Tiranës ka vendosur zgjatjen e hetimeve për liderin e opozitës Lulzim Basha, ish-deputetin Arben Ristani dhe financierin e PD Ilir Dervishi. Tre zyrtarët e PD janë nën hetim si persona të dyshuar për pastrim parash e falsifikim formularësh në lidhje me financimet ruse në SHBA për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Ndërsa dosja e tij ende nuk ka shkuar në Gjykatë.

Ata u morën të pandehur pak muaj më parë, ku u njohën edhe me akuzën si të pandehur për këtë çështje.

Lulzim Basha së bashku me ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së, dhe Ilir Dervishin sipas prokurorisë akuzohen për falsifikim dhe fshehje të financimeve. Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Prokurorisë së Tiranës i janë dashur 20 muaj hetime për të dalë në konkluzionin se Lulzim Basha, kryetar i PD dhe dy funksionarët e lartë të kësaj partie duhen të merren të pandehur për financimin e dyshimtë të përdorur për lobimin në SHBA. Sipas burimeve të Shqiparja.com, Prokuroria e Tiranës është ndihmuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës  dhe FBI duke e furnizuar me të dhëna dhe informacione.

Konkretisht, Basha, Ristani dhe Dervishi akuzohen për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (pastrim parash)” dhe “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”, akuza këto që rrezikojnë t'i dënojnë deri ne 10 vite burg.