Lojtarë në të dy krahët rrezikojnë bukurinë e derbit, te Tirana edhe tifozët në pikëpyetje

25 Shkurt 2020, 14:19 | Përditesimi i fundit: 2020-02-25 16:15:52

Derbi i ditës së premte mes Tiranës dhe Partizanit, që do të luhet në orën 19:00 në stadiumin Air Albania, rrezikon shumë të humbasë nga spektakli i tij. Aryeja është se në të dy kampet e klubeve rrezikojnë të mos zbresin në fushë emra shumë të rëndësishëm. Te Tirana që pretendon të fitojë dhe të ruajë vendin e parë, ditën e djeshme në stërvitje janë krijuar shumë pikëpyetje.

Majkell Ngoo nuk është stërvitur me ekipin, por ka marrë veçmas vetëm ngarkesën fizike. Ndërkohë për Augustin Torrasa-n që doli i dëmtuar nga ndeshja me Kukësin ka patur më shumë stërvitje në palestër, ndërsa Elton Kale nuk është paraqitur fare për shkak të gripit. Sakaq i vetmi lajm i mirë te bardheblutë në aspektin e dëmtimeve është rikthimi i pas më shumë se dy muajve në stërvitje i sulmuesit Ismael Dunga.

Në kampin e kampionëve në fuqi të Superligës, te Partizani, është thuajse e sigurtë mungesa e një prej lojtarëve më të dalluar. Bëhet fjalë për Lorenc Trashin, pasi mbrojtësi vetëm ditën e sotme ka lënë spitalin. Gjithsesi atij do t’i duhen të paktën disa ditë për t’u rikthyer në stërvitje, ndaj në derbi është e sigurtë që do të mungojë, ndërsa në rrezik janë edhe ndeshjet e ardhshme.

Për Sormanin është plotësisht e sigurtë edhe mungesa e Romero-s, futbollistit venezuelian që është dëmtuar të hënën në ndeshjen e ekipit B dhe që është dërguar atje për shkak të sjelljes.

Ndërkohë më herët klubi i Tiranës ka bërë me dije edhe çmimet e biletave për këtë supertakim. Në tribunën VIP biletat do të jenë 5 milek, në tribunën Panajot Pano 1 mijë e 500 lek, ndërsa tribunat pas porte, respektivisht në tribunat Fatmir Frashëri dhe Vasillaq Zëri çmimet do të jenë 500 lekë.

Vlen për t’u theksuar pavarësisht se ka shumë pak gjasë të ndodhë, se Tirana mund të dënohet nga Disiplina që këtë ndeshje ta luaj pa tifozë, për shkak të dëmtimeve që shkaktuan me stolat në ndeshjen me Kukësin. Gjithsesi për hir të ndeshjeve derbi dhe parave që prodhon kjo sfidë Disiplina ka treguar se mund ta mbyllë njërin sy.