Lokalet e luksit rrezik për COVID, Braçe për Report TV: Politika jo deklarata që stimulojnë 'harbimin' e të rinjve! Tatimet ku janë për kontrolle?

11 Gusht 2020, 15:13 | Përditesimi i fundit: 2020-08-11 19:20:49

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka ngritur një tjetër shqetësim në lidhje me përhapjen e virusit, nga sjellja e papërgjegjshme e të rinjve në klubet dhe restorantet në bregdet ku distancimi i social dhe mbrojtja nga COVID-19 duket se është një gjë e panjohur për ta.

Braçe shkruan se në të gjithë këtë harbim të të rinjve apo "kalamajve" siç i cilëson numri dy i qeverisë, edhe më shqetësuese është sjellja e politikanëve, të cilët në vend që të edukojnë dhe mësojnë rininë se si të mbrohen bëjnë deklarata që nxisin sjellje të tilla dhe dëmtojnë punën e qeverisë dhe institucioneve në gjobat që vendosin.

Në një lidhje telefonike për Report Tv, Braçe e cilëson këtë fenomen problematik, ku ka politikanë që mbështesin sjellje të tilla dhe nuk përcjellin mesazhet që duhet për mbrojtjen dhe distancimin fizik.

"Kjo histori nuk fillon me qeverinë por me mua e me ty. Nuk fillojmë tek institucionet, ata patjetër që bëjnë punën e tyre, i keni me numra dhe shifra për gjobitjet. Problemi më i madh janë politikanët që vendosen mes këtyre kalamajve të harbuar dhe institucioneve duke përcjellë mesazhe tërësisht në favor të kësaj sjellje dhe jo në favor të sjelljeve që duhet që të mbrohen dhe të jenë më të kujdesshëm. Ky është problemi dhe jo se ku janë gjetur videot, pasi ato janë gjithkund në rrjetet sociale", tha Braçe për Report Tv.