Londër, Boris Johnson spastron qeverinë, shkarkon gjysmën e ministrave

25 Korrik 2019, 13:38

Më shumë se një riorganizim, Kryeministri i ri i Britanisë së Madhe Boris Johnso, ka bërë një spastrim të vërtetë në qeveri.

Pas marrjes së detyrës nga Mbretëresha Elisabet, Johnson ka komunikuar emrat që do të jenë pjesë e Kabinetit të ri qeveritar.

Boris Johnson i ka besuar detyrat më të rëndësishme, disa prej mbështetësve më të bindur të Brexit.

Posti më delikat i takoi Sajid Javid. Ish Ministri i Brendshëm do të jetë Ministri i ri i Financave.

"Kryeministri - tha Javid menjëherë pas emërimit të tij - tashmë ka përcaktuar disa nga prioritetet e tij kryesore, duke përfshirë garancinë për të lënë Bashkimin Evropian më 31 tetor dhe duke shfrytëzuar mundësitë e mëdha ekonomike që na presin".

Euro skeptiku Dominik Raab do të zërë vendin e Jeremy Hunt si ministër i Jashtëm.

Raab kishte dhënë dorëheqjen vitin e kaluar nga qeveria e Theresa May, duke qënë kundër strategjisë së saj për Brexit.