Londër, Boris Johnson zgjidhet Kryeministër i Britanisë së Madhe

23 Korrik 2019, 14:48

Ish kryetari i bashkisë së Londrës, Boris Johnson është lideri i ri i partisë konservatore dhe kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe.

Nga 160.000 konservatorë me të drejtë vote, 92.153 anëtarë të Partisë votuan për Johnson.

Rivali e tij, ministri aktual i Punëve të Jashtme, Jeremy Hunt, mori rreth 47 000 vota.

Së shpejti, në pjatën e qeverisjes së re britanike, do ndodhen dy “ushqime” të vështira për tu tretur, Brexit dhe kriza me Teheranin.

Megjithatë, sipas mediave në Mbretërinë e Bashkuar, shumë zyrtarë të partisë thanë se nuk ishin të gatshëm të punonin në qeverinë e Johnson.

Duke folur hapur me anëtarët e parties së tij, Johnson falënderoi Hunt, duke e quajtur atë "një kundërshtar të frikshëm".

Emërimi i ish kryetarit të bashkisë së Londrës, në postin e kryeministrit të Britanisë së Madhe do të bëhet të mërkurën pasi të pranohet nga mbretëresha Elisabet.

Johnson ka premtuar se deri në fund të tetorit do ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga Bashkimi Evropian, me apo pa marrëveshje për Brexitin.

Dalja e Britanisë së Madhe nga BE pa ndonjë marrëveshje paraprake, do të mund të shkaktonte probleme shumë serioze ekonomike për Britaninë e Madhe por edhe për Bashkimin Evropian, - thonë ekspertët e ekonomisë.