Teksa na ndajnë më pak se 90 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi këtë të hënë programin e saj politik. Fjalën hapëse në prezantimin e programit politik të LSI-së, e ka mbajtur ish-deputeti, Edmond Haxhinasto i cili tha se ky program synon qëndrueshmëri dhe jo një zgjidhje momentale.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi renditi disa prej prioriteteve të përfshira në këtë program ku vendosi theksin në rritjen ekonomike si dhe investimet tek të rinjtë duke filluar që nga arsimi dhe punësimin. Ajo u shpreh se ky program ka në thelb punësimin e mirëpaguar duke e cilësuar ekonominë si një pikë të panegociueshme për ta. Taksa e sheshtë 9% duket se është një pikë bashkimi në kampin opozitar ku Kryemadhi u shpreh se ka rënë dakord me PD-në.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se programi politik i tyre synon reformën në arsim. Ajo premton se 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) do të shkojë si investim për arsimin. Kujtojmë se kjo ishte dhe një prej kërkesave të studentëve dy vite më parë gjatë protestave të tyre përpara Ministrisë. Gjithashtu Kryemadhi tha se do të vendosin taksën e së ardhmes përmes së cilës, 1% e 200 aktiviteteve të mëdha do të shkojë për arsimin.
Ndër të tjera, në programin e LSI-së është ishte përfshirë dhe një mbështetje për çdo bebe. Kryemadhi tha se do të ofrojë një garanci prej 1 mijë dollarësh. Një tjetër pikë në programin politik të LSI-së është dhe mbështetja për Bujqësinë. Monika Kryemadhi u shpreh se LSI synon të vendosë 0% TVSH në të gjithë zinxhirin e prodhimit.
