Lufta e Evropës kundër pandemisë, lehtësim dhe shtrëngim të masave në vende të ndryshme

8 Mars 2021, 17:52

Në përpjekje për të vënë nën kontroll pandeminë , pas rritjes së theksuar të rasteve javën e kaluar disa vende evropiane janë detyruar të shtrëngojnë masat kufizuese. Duke  nisur nga dita e sotme Finlanda nuk ka hezituar në futjen e kufizimeve të reja si mbylljen e bareve dhe restoranteve. Të njëjtat masa po vendosen në Hungari, e cila është përballur me një rritje të rasteve, shkollat, si dhe shumica e dyqaneve dhe bizneseve, do të mbyllen.

Në Francë, një pjesë e veriut të vendit përjetoi fundjavën e saj të parë nën izolim, një masë që do të zgjasë për katër javë për të përmbajtur variantin britanik të koronavirusit i cili ka qenë veçanërisht i përhapur në rajonin Pas-de-Calais.

Italia ka forcuar kufizimet në disa rajone për shkak të rritjes së numrit të koronavirusit. Shumë shkolla do të mbyllen përsëri duke filluar nga sot dhe restorantet në zonat e prekura nuk do të hapen për klientët. Rajoni turistik jugor i Kampanjas, që përfshin Napolin dhe bregdetin amalfitan, tani është rajoni i tretë i vendit me 60 milionë banorë që bëhet një zonë e kuqe.

Ndërkohë që shkollat ​​janë hapur sërish në Britaninë e Madhe ndërsa Gjermania ka lejuar rihapjen e shumë bizneseve që nga e hëna.  Kthimi i rreth dy milion nxënësve në klasa në Angli vjen pas një mbyllje dy-mujore dhe është një hap vendimtar në planin e qeverisë britanike për të dalë me në mënyrë graduale nga bllokimi i tretë.  Qeveria ka thënë se do të jetë e mundur që gjashtë persona të takohen në ambiente të hapura nisur nga data 29 Mars. Baret, restorantet dhe dyqanet jo-thelbësore duhet të jenë në gjendje të rihapen nga 12 Prilli.