Lufta kundër COVID-19, lehtësohen kufizimet në Evropë pavarësisht infeksioneve të larta

3 Maj 2021, 14:18

Shumë vende evropiane kanë filluar të lehtësojnë masat anti-COVID, edhe pse ende nivelet e infeksionit dhe personat në terapitë intensive mbeten të larta.

Pas muajsh të tërë mbylljeje, kafenetë në Venecia janë rihapur pasi vendi hyn tashmë në zonën e verdhë, çka do të thotë se rreziku nga COVID-19 është i ulët. Qeveria italiane përdori metodën e ngjyrave për të klasifikuar rajonet, por tanimë në pjesën më të madhe të shtetit fqinj janë lehtësuar masat kufizuese.

Sidoqoftë gjashtë rajone mbeten nën masa të rrepta, duke bërë që të ketë pakënaqësi në rritje.

Edhe Franca po shkon drejt rihapjes. Nga dita e sotme nuk ka më kufizime prej 10 km për udhëtuar larg nga shtëpia . Tanimë nis edhe plani me katër faza i presidentit Macron, ndonëse numri i të infektuarve vijon të mbetet I lartë. Duke filluar nga sot nxënësit e shkollave të mesme u kthyen në shkollë për herë të parë në një muaj.

Megjithatë mbetet në fuqi një shtetrrethim gjatë natës mbeti në vend ndërsa tarracat në natyrë të kafeneve dhe restoranteve nuk do të lejohen të rihapen deri më 19 maj së bashku me muzetë, kinematë, teatrot dhe sallat e koncerteve.

Në Greqi, pas muajsh të tërë kufizimesh restorantet dhe kafenetë janë lejuara për të shërbyer klientëve në ambiente të jashtme. Bizneset dhe shërbimet e lidhura me turizmin, do të rikthehen në punë nga 15 maj.

Hungaria në anën tjetër duke filluar nga e shtuna lehtësoi kufizimet për persona të cilët janë imunizuar kundër COVID-19.  Individët me karta mund të hyjnë në restorante, hotele, teatro, kinema, banjë, palestra, biblioteka, muze. Orari i punës për bizneset u zgjat deri në orën 23:00 dhe orari I shtetrrethimit u shty po ashtu.