Luftë e ftohtë mes Merkel dhe Macron

29 Maj 2019, 12:10

Në përfundim të samitit të BE në Bruksel, Donald Tusk, kryetar i Këshillit Evropian gjatë një konference për shtyp, deklaroi atë që prej ditësh qëndronte pezull në ajër pas zgjedhjeve europiane. "Nuk kemi folur për emra të veçantë, por për procedurat në lidhje me emrin favorit për President të Komisionit Europian”.

Mos dakortësimi për një emër të përveçëm, ka nxjerrë në sipërfaqe dallimet mes Francës dhe Gjermanisë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, pretendon të drejtën e krerëve të shteteve dhe qeverive për të zgjedhur një emër pa iu nënshtruar rezultateve të zgjedhjeve evropiane, ndërsa kancelarja gjermane Merkel, të paktën zyrtarisht, vazhdon të mbështesë kandidaturën e Manfred Weber.

Për Macron, emra të tillë si Barnier, Timmermans dhe Margarete Vestagher, kanë më shumë përvojë dhe besueshmëri, krahasuar me  Weber.

Mbi shpatullat e Tusk tani bie bara e paraqitjes së tre emrave për President të Këshillit Europian, Bankës Qëndrore Europiane dhe Përfaqësuesit të Lartë për politikën e jashtme të BE.

"Partia Popullore Evropiane është më e forta e Parlamentit Evropian, edhe pse nuk ka shumicën e nevojshme për të bërë zgjedhje. Megjithatë partnerët tanë duhet të tregojnë gatishmëri për kompromis”- tha Merkel gjatë një konference shtypi.