'Luftë' Messi-Barça, e ardhmja tek Interi ose City

26 Gusht 2020, 13:33

Leo Messi dëshiron të braktisë Barcelonën pas plot 16 vitesh në ekipin e parë gjatë të cilave ka fituar gjithçka. Mbrëmjen e djeshme u dha lajmi i bujshëm se kapiteni ka dërguar një faks në klub ku kërkon edhe zyrtarisht largimin nga blaugranët.

Argjentinasi do të shfrytëzojë një klauzolë në kontratë që e lë të lirë në fund të çdo sezoni. Pas kësaj ka nisur një luftë totale mes Messit dhe Barcelonës ndërsa tifozët janë mbledhur jashtë stadiumit “Camp Nou” të mërzitur se do u largohet idhulli i tyre.

Drejtuesit e tjerë i kanë kërkuar Presidentit Bartomeu që të dorëhiqet, por ai e ka mohuar diçka të tillë dhe njofton se tashmë ndaj Leo Messit do të nisë një “luftë” ligjore pasi sipas tij numri 10-të nuk mund të largohet falas. Në detajet e shumta që zbulojnë mediat është edhe fraza që i ka thënë trajneri i ri Ronald Koeman se në ekip nuk do të ketë më të privilegjuar.

Ajo që tashmë dihet është se lojtari më i mirë në botë do ta braktisë Barcelonën dhe ka nisur një ankand se cilën fanellë do të veshë ylli argjentinas sezonin e ardhshëm. Dy janë ekipet favorite. Interi për të cilin ish-agjenti është i sigurt se Messi ka zgjedhur zikaltërit, ndërsa edhe City i Guardiolës po ashtu ka shumë shanse.

Dera e City-t është e hapur për Messin. Por edhe PSG dhe Manchester United qëndrojnë në garë. Klauzola e Messit është prej 700 mln euro, por në këtë situatë Barcelona mund ta lërë të largohet për rreth 220 milion ndërsa paga e yllit argjentinas është ajo që tremb pretendentët pasi përfitimet e Messit shkojnë deri në 100 mln euro bruto në vit./ Përgatiti Andi Kapxhiu