Luiza Xhuvani dhe Ndriçim Xhepa në skenë me poezitë e Rumit, aktori: Vargje për dashurinë, jetën edhe vdekjen

8 Nëntor 2019, 14:36

6 shandanë, tre tufa trëndafilash, tre karrige rreth një tryeze edhe vargjet e poetit pers Rumit (Jalal ad-Din Muhammad Rumi 1207-1273) bënë bashkë shpirtrat e trazuar të tre artistëve të njohur Luiza Xhuvani, Ndriçim Xhepa dhe Kristian Koroveshin në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse. Muzika e zgjedhur e njw violonçelisti do t’i shoqëronte artistët që sollën ëmbël poezitë e shkruara në shekullin XIII tek “Mbrëmë i pëshpërita një ylli”. Luiza Xhuvani, e tëra e veshur në të zeza, Ndriçim Xhepa dhe Kristian Koroveshi interpretuan vargjet e rralla për dashurinë, jetën edhe vdekjen.

“Kjo ishte si një bulëz poetike për të pasur një lloj hapjeje shpirtërore. Jam befasuar me vargun e këtij poeti, i cili me strukturën që ka dhe mënyrën se si u drejtohet elementëve njerëzorë, jetës dhe dashurisë të duket sikur është një poet modern, por kur mendon se na ndajnë shekuj prej tij, mbetesh i mahnitur. Me sa duket, jo më kot është poet i përbotshëm, që populli iranian e ka të vetin. Kjo treshe me në krye Kristianin ishte menduar në këtë formë, pa bërtitje, pa zhurmë, sepse thjesht mbështetet te bukuria e fjalës që ka shkruar autori”, thotë aktori i njohur Xhepa.

Kristian Koroveshi na rrëfen, se përse zgjodhi Luiza Xhuvanin, Ndriçim Xhepën edhe vargjet e poetit persian Rumit, për të realizuar këtë ëndërr të kahershme të tij.

“Zgjodha Luizën, sepse ajo është Luiza Xhuvani. Zgjodha Ndriçimin, sepse është një ndriçim i skenës. Mandej, tabloja plotësohet nga një poet si Rumi. Nuk mund të mendoj tjetër emërues të përbashkët të njerëzve, përveçse ndjesive universale. Rumi është i përbotshëm, i kahershëm, që edhe pse i përket shekullit XII, rrëfen një dashuri edhe më emocionale e romantike nga ç’dëgjojmë sot. Prandaj iu drejtova Rumit, për ta idealizuar aq sa unë kam mundësi, sepse besoj fort se çdokush që vjen në këtë botë, merr një dhuratë e këtë dhuratë duhet ta jetojë sa më mirë, duke njohur nocionet e dashurisë e të gëzimit. Askush nuk e ka jetën të mbushur vetëm me çaste lumturie, por edhe brenda dhimbjes së dashurisë mund të gjendet e bukura”, thotë Kristian Koroveshi.

Artisti i ri tek “Mbrëmë i pëshpërita një ylli” ka ditur të ruajë thjeshtësinë, sepse ai mendon se nuk ka njerëz që nuk e kanë ndierë në jetë dhimbjen edhe lumturinë e dashurisë.

Fikja e qirinjve. Një trëndafil blu edhe përqafimi që një vogëlush do t’i dhuronte Luiza Xhuvanit do të bënte që drama poetike e Rumit të arrinte misionin e saj, për shpirtrat e trazuar në sallë, por edhe për “shpirtrat e bardhë” që nuk janë më mes nesh..., mes tyre regjisori Gjergj Xhuvani. Publiku duartroket artistët!