Lukaku shpëton Interin, Reali turpërohet në Champions ndërsa Bayern Mynih bën poker ndaj Atleticos

22 Tetor 2020, 14:45

Nis me një barazim aventura e Interit në këtë edicion të Champions League. Lukaku i shpëtoi zikaltërit nga humbja dhe ndeshja ndaj gjermanëve të Borussia Moenchengladbach u mbyll në barazim 2-2. Belgu kaloi skuadrën e Contes në avantazh në fillimin e pjesës së dytë por miqtë përmbysën gjithçka me golat e Benseibani me penallti dhe Hofmann deri sa Lukaku të shënonte në frymën e fundit dygolëshin personal dhe në “San Siro” skuadrat të ndanin nga një pikë.

Në grupin B Real Madrid u turpërua nga Shakhtar Donetsk që fitoi jashtë fushe 3-2. Ukrainasit ishin fantastik në pjesën e parë dhe i shënuan Realit 3 gola ndërsa rrjetat e Modric dhe Vinicius nuk mjaftuan për të evituar surprizën e madhe.

Bayern Mynih ka treguar menjëherë dhëmbët dhe ka fituar me poker 4-0 ndaj Atletico Madrid duke qënë një rrul i vërtetë që shtyp rivalët. Dy gola nga pjesën e parë me Coman e Goretzka dhe dy të tjerë në fraksionin e dytë me Tolisso e sërish Coman i dhanë leksion Simeones dhe ngjisin menjëherë bavarezët në vendin e parë në grupin A pasi ndeshja tjetër Salzburg-Lokomotiva e Moskës u mbyll 2-2.

 Një autogol i Nicolas Tagliafico i mjaftoi Liverpoolit që të fitonte 1-0 ndaj Ajax në Holandë. Grupin D e kryeson Atalanta që bëri goleadë ndaj Midtjylland. Bergamaskët fituan 4-0 në transfertë me golat e Zapata, Gomez, Muriel dhe Miranchuk ku një paraqitje shumë të mirë bëri edhe Berat Gjimshiti.

Me këmbë të mbarë u nis faza e grupeve të Champions edhe nga Manchester City që fitoi me përmbysje 3-1 ndaj Portos në Angli. Aguero me penallti, Gundogan me goditje dënimi dhe spanjolli Ferran Torres ishin autorët e golave ndërsa tre pikë mori edhe Olympiacos që mposhti 1-0 Marseille me një gol në frymën e fundit.