Lulzim Basha kopjon protestat e Berishës 3 muaj pas zgjedhjeve të 1997

20 Qershor 2019, 14:51

Kryetari aktual i PD-së Lulzim Basha përsërit të njëjtin skenar me protestat si Sali Berisha 22 vite më parë në 1997. Tre muaj pasi doli në opozitë, përmes zgjedhjeve të parakohshme të 29 qershorit 1997, Partia Demokratike me krye Sali Berishën organizoi një valë protestash, me qëllim rrëzimin e qeverisë së Fator Nanos, e cila sapo ishte konstituuar. Vala e parë e protestave startoi në 24 shtator të vitit 1997, ndërsa përfundoi në 2 nëntor të po atij viti. Po të çfarë natyre ishin protestat e organizuara nga Partia Demokratike, sa ishte pjesëmarrja, kush ishin protagonistët, si orientohej turma, cilët përfaqësonin linjën radikale dhe cili ishte roli i policisë?

Shqiptarja.com publikon për herë të parë dosjen e Ministrisë së Brendshme mbi “zhvillimin e tubimeve të paligjshme nga Partia Demokratike’ në vjeshtën e vitit 1997. Tubimet gati të përditshme udhëhiqeshin nga Sali Berisha, Azem Hajdari, Pjetër Arbnori, Blerim Çela, Shaban Memia, Leonard Demi, Ylli Vejsiu, Tritan Shehu, Genc Pollo, Leonard Demi, Jemin Gjana, Gëzim Kalaja etj. Sipas dokumenteve në dosjen e Ministrisë së Brendshme, pjesëmarrja në protesta ishte nga 100 deri në 1 mijë veta. Protestat nisnin pasdite me 100-150 simpatizantë para selisë së Partisë Demokratike. Militantët merrnin banderolat, flamujt dhe parullat në selinë e PD dhe niseshin drejt Sheshit Skënderbej. Kohëzgjatja e protestave ishte rreth një orë. Të gjitha tubimet janë zhvilluar pa lejen e Policisë së Shtetit, ndaj pas çdo tubimi policia ka shoqëruar grupe protestuesish për pjesëmarrje në tubim të paligjshëm, duke i lënë gjithnjë të lirë pas 12 orësh.