Lulzim Basha prezanton programin e PD-së për energjinë: Shqiptarët do zgjedhin ku ta blejnë, do krijojmë bursën e energjisë

24 Shkurt 2021, 12:42 | Përditesimi: 24 Shkurt 2021, 19:17

TIRANË – Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka prezantuar mëngjesin e kësaj të mërkure programin e kësaj force politike për energjinë elektrike. Një prej pikave kryesore të këtij programi është krijimi i një burse për energjinë teksa Basha u shpreh se qytetarët do e zgjedhin vetë se ku do e blejnë energjinë elektrike. Ai tha se do ulë çmimin e saj për 70% të familjeve shqiptare për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj.

"Ne do të ulim faturën e energjisë elektrike për 70% të familjeve shqiptare duke ngritur një sistem faturimi me dy fasha dhe duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj. Ne do të liberalizojmë tregun e energjisë elektrike, duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të zgjedhin vetë se te cili operator do ta blejnë energjinë. Në funksion të kësaj, angazhimi ynë kyç është ngritja e bursës së energjisë" - tha Basha.

Kryedemokrati Basha u shpreh se bizneset do të furnizohen më lirë dhe më mirë ndërsa do u japë fund përdorimit të gjeneratorëve nga ana e tyre. Duke iu referuar Bankës Botërore, Basha deklaroi se gati gjysma e bizneseve përdorin gjeneratorët për t’u furnizuar me energji.

Një tjetër pikë e këtij programi është dhe bashkimi i dy tregjeve, Shqipëri-Kosovë. Basha tha se kjo do bëhet duke kombinuar prodhimin nga TEC-et në Kosovë për energji elektrike bazë ndërsa ajo e prodhuar në Shqipëri do të përdoret për të mbuluar kërkesën në kohën e pikut.

Së fundmi, Basha i dha rëndësi dhe çmimit të karburantit. Ai tha se do ulë çmimin dhe do rrisë cilësinë ku veçoi dhe heqjen e taksën prej 240 lekë për litër karburanti.

“Ne do të ulim çmimin dhe do të rrisim cilësinë e karburantit për qytetarët, përmes politikave fiskale, ku veçoj heqjen e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti dhe duke hapur tregun e duke zhbërë dhe çmontuar monopolet që ekzistojnë sot.  Ne do të nxisim fuqishëm prodhimin e energjisë nga burime të gjelbërta dhe të pastra me fokusi energjinë hidrike dhe atë të erës” – tha Basha.

 

b.ha./Shqiptarja.com