Lushnje, i vendosën tritol në dyqan, Arjan Aliço i dënuar për tentative vrasje së bashku me të birin

5 Prill 2021, 17:10

Një shpërthim me tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Lushnje. Sasia e lëndës plasëse është vënë në dyqanin e Arjan Aliços, një person me precedent të theksuar kriminal, i njohur edhe si ish-anëtar i bandës së Aldo Bares. Në ambientin ku është vendosur tritoli, më parë ka shërbyer si lokal dhe është dëmtuar vetëm pjesa e jashtme e qepenit. Pronari i lokalit Arjan Aliço, aktualisht ndodhet në burg i dënuar për tentative vrasje së bashku me të birin, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes nuk banojnë aty prej vitesh. Aktualisht tek zona ku ndodhet dyqani nuk ka kamera sigurie dhe këtu nuk ka biznese, pasi ndodhen vetëm disa dyqane të vogla.Arjan Aliço, pronari i dyqanit, të cilit mëngjesin e sotëm i vendosën tritol, është i dënuar për tentative vrasje. Në vitin 2016, Arjan Aliço në bashkëpunim me djalin e tij Xhino Aliço, kanë plagosur me thikë dhe sende të forta, personin me inicialet J. S., duke i shkaktuar atij dëmtime të rënda në trup dhe në kokë. Arjan Aliço u arrestua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa i biri, Xhino Aliço u shpall në kërkim. Ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta, në një pikë bastesh. Xhino Aliço, djali i tij 28-vjeç, u ekstradua nga Kroacia pak ditë më parë pasi rezulton i dënuar me 13.6 vite burg për tentativë vrasje. 28-vjeçari është dënuar më 10.03.2020 me 13 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata e Lushnjës, për një ngjarje të ndodhur në vitin 2016.