Lushnje, vritet me armë zjarri në lokalin e tij, ish-anëtari i bandës së Lushnjes, Enver Boriçi

14 Dhjetor 2019, 09:09 | Përditesimi i fundit: 2019-12-14 14:42:59

LUSHNJE- Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, në lagjen "Kadri Gjystri" Lushnje, është gjetur i vrarë me armë zjarri një 52-vjeçar Enver Boriçi. Ai është gjetur i vrarë në lokalin e tij nga familjarët të cilët kishin vërejtur se ai nuk ishte kthyer në shtëpi.

Burimet për Report TV, bëjnë me dije se Enver Boriçi, ish-anëtar i Bandës së Lushnjes ka qenë duke pirë kafe në lokalin e tij, ku dyshohet se një person i maskuar është afruar dhe e ka qëlluar për vdekje. Boriçi është qëlluar me një plumb në kokë, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. 

52-vjeçari, Enver Boriçi është vëllai i Arben Boriçit, edhe ky një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i cili aktualisht po vuan dënimin me burgim përjetë, si anëtar i bandës së Lushnjes.