Lushnjë/ Zbulohen për herë të parë foto e dokumente nga 14 qendra internimi

21 Gusht 2019, 16:02 | Përditesimi i fundit: 2019-08-21 16:32:39

Kush kalon këto ditë në qytetin e Lushnjes, në Qendrën e Kulturës “Vaçe Zela”, do të ketë rastin që të shoh të ekspozuara fotot e rralla. Janë ato që sjellin fragmente nga kalvari i gjatë i vuajtjeve në këto qendra internimi. Nuk mungonin në ekspozitën e titulluar 'Dinjiteti përballë totalitarizmit” edhe disa prej dosjeve të ish të përndjekurve politikë.

Lushnja ishte një nga zonat më të mëdha të grumbullimit të familjeve të internuara. Aty kaluan dekada të tëra të jetës së tyre. Ka disa prej tyre që vijojnë të jetojnë ende aty, pranë barakave të improvizuara që kishte ndërtuar sistemi për ta.

Kanë qenë plot 14 qendra internimi në territorin e saj, si Savra, Rrapeza, Çerma, Gradishta dhe shumë të tjera. Gjatë aktivitetit përkujtimor është mbajtur edhe një simpozium, në çelje të të cilit ka përshëndetur kreu i bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe.

Në kampet e Lushnjes vuajtjet e të internuarve ua kalonin shpesh edhe vuajtjeve të atyre që ishin në burg. Askush nuk largohej dot pa leje nga kampi. Apeli bëhej çdo ditë, e çdo ditë gjatë apelit do të përgjigjeshin familjet Markagjoni, Pervizi, Bajraktari, Dukagjini, Kokali, Dine, Vatnikaj, Koliqi, Biçaku, Mulleti, Alla, Merlika, Topalli, Radi, Alizoti, Matjani, Kupi, Dosti, Kaloshi, Tinaj, Kolgjini, Sina, ...e tjerë. Ishte një listë kilometrike, e cila plotësohej përditë me familje të tjera të sjella në internim nga Tirana apo qytete e të tjera të Shqipërisë.