Macron: Për Europën jemi përgjegjës para historisë

22 Maj 2019, 10:55

Ndërsa Bashkimi Europian është përfshirë në ethet e procesit zgjedhor për zgjedhjet europiane në datën 26 Maj, frika përkundrejt votës për një shumicë konservatore në PE, ka rritur nervozizmin në politikën e Kontinentit.

Për Presidentin francez Emmanuel Macron: “Votimi europian i të dielës është më i rëndësishmi që prej vitit 1979, që prej zgjedhjeve të para parlamentare europiane. “Unë jam një patriot europian dhe nuk mund të jem spektator i zgjedhjeve të 26 majit. Nëse lëmë Europën në rrëmujë, do të jemi përgjegjës përpara historisë”, deklaroi presidenti Macron në një intervistë të publikuar në shtypin francez.

Për sa i përket pyetjes se kush është armiku i Europës, Macron tha se: “Armiku i Europës është ai që nuk beson në të ardhmen e saj. Nacionalistët që duan ta ndajnë Europën janë armiqtë e saj, të cilët për herë të parë në histori, po bashkëjetojnë me interesat e huaja, objektivi i të cilëve është shpërbërja e Europës”.

Vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve evropiane, Komisionerja e Drejtësisë e BE, Vera Jourová paralajmëroi për rrezikun e manipulimit të tyre sidomos nga Rusia. “Ne nuk duhet të lejojmë që rezultatet e zgjedhjeve të falsifikohen me anë të ndërhyrjeve, qoftë edhe në një shtet të vetëm anëtar. Këto zgjedhje janë përcaktuese për Europën”, u tha Jourová gazetareve të Rrjetit Redaksional në Gjermani.