Magjistratët/ Balla pak orë para seancës së Kuvendit: Gati për dialog me opozitën

3 Shtator 2018, 10:44

Tiranë- Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla tha se forca që ai përfaqëson është gati për një riorganizim të brendshëm. Sipas tij, mbledhja u fokusua pikërisht tek riorganizimi dhe anëtarësimet e reja në parti.

“Vëmendja jonë do jetë tek njerëzit që na kanë votuar, pasi ata janë pjesa më e rëndësishme”,-u shpreh Balla ndërsa konfirmoi edhe zyrtarizimin e datës së Asamblesë Kombëtare më 7 shtator.

 

Në lidhje me një nga ligjet më të debatuara si ai i Magjistratëve të rinj, Balla u shpreh se PS-ja është e hapur të dialogojë edhe me Patinë Demokratike vetëm që Kuvendi t’i hapë rrugë votimit.

 “Jemi të gatshëm të dialogojmë konstruktivisht për të gjitha çështjet. Duam zgjidhje për një ligj që krijon prurje të reja dhe me cilësi të prokurorëve dhe gjyqtarëve”,- tha ai.

Nëse Kuvendi do të miratojë sot ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, Shkolla e Magjistraturës do të mund të emërojë magjistratët e rinj, edhe pse nuk është miratuar ende Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Më herët PS-ja ka kërkuar edhe nga LSI-ja bashkimin e votave për këtë ligj.