Makina tërheq zvarrë 50 metra mjetin bujqësor në Fushë-Krujë, humb jetën 71-vjeçari

15 Gusht 2020, 09:10

Përgjaket mëngjesi i të shtunës, ku një viktimë është raportuar që në orët e para të 15 gushtit. Një mjet ka përplasur një mjet bujqësor me pasojë vdekjen e drejtuesit të këtij të fundit. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Fushë Krujë-Tiranë, te kthesa e Rinasit.

Një mjet tip "Benz", me drejtues Luan Koçin, 37 vjeç, ka përplasur për vdekje 71-vjeçarin Halim Tufa, i cili po udhëtonte me një motoçikletë. Ngjarja ka ndodhur në 05:35 të mëngjesit, ku i moshuari ka humbur jetën në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të marra. 

Përplasja ka qenë tepër e fortë, ku "Benzi" e ka marrë zvarrë motorzapërn ( mjet bujqesor ) 50 metra duke i marrë jetën drejtuesit të saj. Shkak i aksidentit është bërë shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte Benzi dhe mungesa e sinjaleve dhe dritave të mjetin bujqësor.

Në pamjet e siguruara nga Report Tv pjesët e makinës dhe motorzapërs janë përhapur në rrugë për metra të tëra, ndërsa mjetet kanë pësuar dëme të mëdha materiale.

Drejtuesi i mjetit 37-vjeçari Luan Koçi është shoqëruar në ambientet e policisë. Grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punon  për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.