Makinat e tonazhit të rëndë shkatërrojnë rrugën që të çon në Vilë Bashtovë, shoferët: Kemi frikë të kalojmë natën

18 Janar 2020, 20:50

Aksi rrugor nga autostrada në Gosë të Kavajës deri në plazhin e Vilë Bashtovës me një gjatësi prej 11 km është tërsisht i amortizuar. Mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë inerte nga shtrati i lumit Shkumbin në të gjithë gjatësinë e tij nga ura e Shkumbinit e deri ne grykëderdhje kanë nxjerrë jashtë funksionit këtë segment rrugor.

Qarkullimi i automjeteve është shumë i vështirë. Në njërin krah të rrugës janë krijuar gropa të mëdha duke e kthyer dhe në burim aksidentesh. Kjo situatë ka sjellë dhe shqetësimin e drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë në të.

"Po nuk pati rrugë s'ka jetë. Na shqetëson shumë, rruga është shumë e keqe. Kjo rrugë është bërë dhe burim aksidentesh. Rruga duhet përditë për hall, për punë. Sepse një krah është i prishur dhe nuk di ku të hapësh rrugën", tha një drejtues mjeti.

"Kjo rrugë është skandal, se marrim vesh ça po bëhet këtu. Po na shkatërrohet makina, a ka shtet të rregullohet kjo rrugë? Nuk ka ditë që mos të ndodhin aksidente", tha një drejtues mjeti. "Skandal, duhet të rregullohet po na prishen makinat çdo ditë", tha një drejtues mjeti. 

Gjatë stinës së verës situata bëhet edhe më e vështirë për shkak se ky aks rrugor të lidh me plazhin e Vilë Bashtovës i cili frekuentohet nga turistët. Gjithashtu kjo rrugë përdoret për të shkuar edhe në kalanë e Bashtovës e cila është kalaja e vetme fushore në Ballkan.