Malaj: Provimet kombëtare të bëhen online, e gatshme të ndihmojë Ministrinë e Arsimit

2 Prill 2020, 13:35 | Përditesimi i fundit: 2020-04-02 14:03:30

TIRANË- Zv. ministrja e Arsimit, Nora Malaj, teksa ka vlerësuar maksimalisht, punën e bërë deri më tani nga mësuesit online, ka hedhur disa propozime që mund të shërbejnë për të mos humbur këtë vit akademik. Në një lidhje me Skype për Report Tv, Malaj u ndal te provimet kombëtare të lirimit dhe të maturës, duke theksuar se mund të zhvillohen online, mbi tema dhe teza të lehta. Ajo i ka propozuar ministrisë së Arsimit që të rimodelojnë programi, studimor duke reduktuar atë, si edhe ndryshim të vitit të ri akademik, për të plotësuar vështirësitë, ndërsa u shpreh e gatshme që të japë kontibutin e saj në tejkalimin e kësaj krize. 

"Ministria të bëjë të ditur programin mësimor si do vijojë. Të bëhet një program i reduktuar, që krahas bazës të jepen edhe forma të tjera të alternuara. E para të qartësojnë të qartë si do të mbyllet viti akademik. Nëse marrin 60% të nocioneve bazë mund të themi që jemi të suksesshëm në këtë vit shkollor. Të rimodelohet edhe viti i ri akademik, për të plotësuar vështirësitë e këtij viti. jam shumë e gatshme të ofroj eksperiencën time në fushën e arsimit për të bërë kurrikulat, apo menaxhimi i provimeve. Për fazën finale të provimeve që mund të organizohen online, institucioni jam i bindur se mund ta realizojë shumë mirë me teza dhe tema të thjeshta, mund të bëhen shumë të thjeshta nga shtëpia për të mos humbur vitin akademikë", tha Malaj.