Maliqi krah Metës për tubimin e 2 marsit: Jemi 'ku thërret qameti'!

20 Shkurt 2020, 11:23

TIRANE- Deputeti i opozitës së re në radhët e LSI-së Lefter Maliqi ka mbështetur nismën e presidentit për të thirrur tubim popullor për 'besëlidhje' në datë 2 mars. Në një deklaratë për mediat nga selia e Kuvendit, Maliqi u shpreh qeveria ka kapur shtetin dhe drejtësinë, dhe është koha për të rrëzuar atë që ai e quan regjimi i ri diktatorial.

Ai iu drejtuar policisë së Shtetit duke i kërkuar që në datë 2 mars të sillen ashtu si në vitin 1991 kur ra busti, ndërsa paralajmëroi se duhet të shmanget përdorimi i gazit lotsjellës.

"Ashtu siç kam qenë në çdo protestë. Dua t'i them shqiptarëve që jeni në një luftë me krimin. Të gjithë pushtetet janë të PS. Reforma në Drejtësi është e kapur. SPAK nuk po funksionin, është vënë në rresht nga ministri i Brendshëm. Kemi parë vrasje, rrëmbime, tritole, grabitje kudo dhe shteti nuk funksionon por bën show. Nuk kemi drejtësi për 51 viktimat e tërmetit. Ky parlament është i kapur. E kam thënë që në krye të herë që të gjitha votimet për anti-shpifjen, KÇK, kodin penal janë vetëm për të shantazhuar këtë popull. Unë do të them sot që edhe thirrjen e presidentit Meta do ta mbështes. I bëj thirrje të gjithëve të jenë atje për protesta të qëndrueshme deri në rrëzimin e këtij diktatori. Meta ka qenë student i dhjetorit për mbrojtjen e demokracisë. Të gjithë e dinë që po u kap kushtetuta do kemi zgjedhje moniste farsë. I bëj thirrje të gjithëve të marrin pjesë në protestën e dy marsit.Policia e Shtetit është e nëpërkëmbur. Vettingu drejtohet nga një zonjë që e ka bashkëshortin oficer të thjesht policie", deklaroi Maliqi.

Duke folur me gjuhën e presidentit Ilir Meta, Maliqi tha se Rama sot po bën show me ligjin anti-KÇK dhe OFL, ndërsa akuzoi kolegët e tjerë deputetë në radhët e opozitës së re se janë rreshtuar në krah të mazhorancës duke votuar ligjet e propozuara prej tyre.

"Policisë së shteti i bëj thirrje të përgjigjet njësoj si në vitin 1991 kur ra busti. Kujdes me gazin lotsjellës, mos u bashkoni me thirrjet politike. Nesër duhet të vijë në krye një njeri që i shërben interesave të vendit. Ky njeri i mbushi burgjet me njerëz të vuajtur dhe bën show me OFL me një vajzë me syzë. Në 2 mars dhe më pas të jenë për fatet e vendit. Ndërkombëtarët të ndërhyjnë për një zgjidhje sa më të shpejtë. Presidenti ka qenë edhe në 2009 në grevë urie për të mbrojtur kushtetutën.