Mallakastër/ 16-vjeçari torturon dhe mbyt në rezervuar nusen e xhaxhait, iu fut në shtëpi me dy shokë për ta grabitur

7 Janar 2020, 18:12 | Përditesimi i fundit: 2020-01-07 22:23:04

MALLAKASTËR - Një ngjarje makabre ka ndodhur më 5 janar në fshatin Gjerbës të Mallakastrës, ku një 16-vjeçar dhunoi e vrau nusen e xhaxhait, me dy shokë të tij me të cilët kishte hyrë në banesë për ta grabitur. Drita Saliaj u gjet e pajetë në rezervuarin e fshatit dy ditë pas ngjarjes, nga polumbarët e forcave RENEA. Nipi i bashkëshortit të 50-vjeçares, (djali i vëllait), L.Saliaj së bashku me dy të rinj, shokë të tij, S.Shehaj 16 vjeç banues në Çërrillë dhe Ervis Zotaj 26 vjeç banues në Gjerbës, të tre të arestuar, kanë shkuar në banesën e 50-vjeçares për të grabitur, por janë pikasur nga Drita Salia. Në momentin që ajo ka njohur edhe djalin e kunatit, e kanë goditur dhe dhunuar, ndërsa më pas e kanë lidhur dhe e kanë hedhur në rezervuarin e Lumarës, 3-4 kilometra larg shtëpisë së saj.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Komisariatin e Policisë Mallakastër janë paraqitur familjarët e 50 vjeçares, të cilët denoncuan largimin nga banesa të Drita Saliajt. Me nisjen e hetimeve pas marrjes së denoncimit u zbulua e gjithë skema e krimit të rëndë.

Shqiptarja.com mëson se të rinjtë e kanë pranuar autorësinë e krimit, në prani të psikologut dhe avokatit, ndërsa janë shprehur se gjithçka e nisën për t'i grabitur lekët por se situata u doli jashtë kontrollit.

Në një rrëfim për Shqiptarja.com një banor i fshatit Gjerbës, thotë se bashkëshorti dhe 2 djemtë e Dritës bëjnë punë sezonale në Greqi dhe në momentin e ngjarjes së rëndë, ajo ka qenë e vetme në banesë. Banorët e zonës shprehen të tmerruar nga kjo ngjarje makabre, ndërsa sipas dëshmisë për Shqiptarja.com, dyshohet që autorët ta kenë torturuar përpara se ta vrasin, pasi në banesën e saj janë gjetur njolla të shumta gjaku.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet që gruaja ka ndërruar jetë pasi është hedhur nga të rinjtë në rezervuarin plot me ujë, megjithatë do të jetë ekspertiza që do të përcaktojë shkaqet reale të vdekjes.