Denisa Gjezo është një nga këngëtaret më të mira shqiptare të muzikës popullore dhe i ka qëndruar fanatike të kënduarit live. Me mbi 15 vite në skenë, këngëtarja është shquar gjithnjë për modestinë dhe thjeshtësinë, karakteristika këto, që e plotësojnë siluetën e një artisteje të vërtetë si Denisa Gjezo.
E ftuar në “Rreze Dielli” ajo ka rrëfyer eksperiencën e saj në Festivalin e 11-të të Këngës në Bunk’Art1, një projekt ambicioz që risolli këngët e Festivalit famëkeq të 47 viteve më parë.
Për të, të këndonte këngën e Ema Qazimit ishte një emocion I veçantë, dhe kjo jo vetëm për faktin se Ema Qazimi qe një artiste e rrallë, por edhe për faktin që mamaja e Denisës shpesh I dërgonte letra adhurimi këngëtares.
“Ishte një eksperiencë e veçantë dhe kënaqësi të këndoja këngët e Ema Qazimit, ishte idhull për shumë persona, ndër ta dhe për mamanë time, e cila e adhuronte, i dërgonte letra adhurimi. Kam kënduar edhe një herë tjetër këngët e Ema Qazimit, nuk e di pse më ngjisin këngët e saj. Ka qenë e dhimbshme kur dëgjoje historitë e njerëzve që ishin të ftuar aty. Në fillim, regjistrimet me cilësi të dobët mu dukën shumë të vështira, por nuk e di sesi e realizova aq mirë. Kur dola në skenë, dhashë 100% tim.”, shprehet këngëtarja.