Manastiriliu: Ngjarja e paprecedentë vuri në rrezik planin tonë, shtyhet me 48 orë vaksinimi masiv! Do të ulet fasha brenda javës

8 Prill 2021, 18:13

100,000 doza të vaksinës së Sinovac kanë mbërritur sot në Aeroportin ‘Nënë Tereza’, dy javë pas mbërritjes së 192,000 dozave, me të cilat nisi vaksinimi masiv në vend.  Të pranishëm në Aeroportin “Nënë Tereza” ishin Ministrja Ogerta Manastirliu, Ministri Arben Ahmetaj dhe Ministrja Belinda Balluku.

Manastirliu ka deklaruar se brenda kësaj jave do të ulet fasha për vaksinim.

“Kemi arritur që t’i kemi vaksinat sot, 100,000 vaksina të Sinovac dhe të vazhdojmë me planin tonë të vaksinimit masiv, për të vijuar në ditët e ardhshme me hapjen e fashës të grupmoshës, + 65 dhe +60 vjeç dhe padyshim edhe me punonjësit e shërbimeve kritike”, u shpreh Manastirliu.

Duke folur për vonesen e shkaktuar si pasojë e grevës së paligjshme në Rinas, Manastirliu tha:

“Falë përpjekjeve madhore të Kryeministrit, ne arritëm që 100 mijë vaksina të Sinovac të vinin në Shqipëri, por pikërisht nga kjo vonesë, plani ynë i vaksinimit u shty me 48 orë, pasi duhen të gjitha procedurat që ne ishim përgatitur t’i kryenim ditën e djeshme, të spostohen në kohë. Imagjinoni çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të ishin bërë këto përpjekje madhore, nëse nuk do të arrinim t’i kishim këto vaksina në kohë, pasi dihet se çfarë lufte e madhe brrylash bëhet në rastet kur një shtet nuk është gati t’i marrë, ateherë një vend tjetër i merr”, deklaroi Manastirliu.