Manastirliu: 3.1 miliardë lekë investime në shëndetësi, do financohet edhe në 5 maternitete

23 Nëntor 2018, 18:58

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave se buxheti 2019 do të preket edhe për investimin e 5 materniteteve në vend. Duke krahasuar buxhetin e këtij viti me atë të pesë viteve më parë, Manastirliu u shpreh se është 43.3% më i lartë. Më tej, ajo tha se buxheti 2019 garanton jo vetëm financimin e shërbimeve në sistem, por mbështet transformimin, duke vendosur pacientin në qendër të vëmendjes.

"Për 2019 investojmë 3 miliardë e 150 milionë lek, ose 20% më shumë krahasuar me vitin 2018. Vetëm në QSUT po investojmë 30 milionë euro për ndërtimin e Spitalit të ri Kirurgjikal, Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe Spitalin Pediatrik", tha Manastirliu.

“Me buxhetin e vitit 2019 vijojmë me investime të rëndësishme nga veriu në jug nga Spitali i Kukësit, tek investimi në Spitalin Pediatrik Durrës, përfundojmë investimin në Spitalin e urgjencës dhe patologjisë në Elbasan. Gjithashtu ne planifikojmë të nisim investimet në maternitetet e Lezhës, Beratit, Pogradecit, Matit dhe Kukësit”, u shpreh më tutje ajo.

Ministrja u ndal edhe te investimet në kujdesin shëndetësor parësor, duke filluar nga rehabilitimi i100 qendrave shëndetësore në vitin 2019.