Manastirliu inauguron ambientet e rehabilituara të Ambulancës së Lusënit në Kukës

17 Dhjetor 2018, 10:54 | Përditesimi i fundit: 2018-12-17 14:38:40

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar këtë të hënë ambulancën e zonës së thellë të Lusenit në Kukës, për të parë më nga afër rehabilitimin e plotë dhe pajisjen e saj me standarte bashkëkohore. Në kuadër të programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, Manastirliu garantoi se është siguruar edhe furnizimi me barnat e urgjencës për 92 qendra shëndetësore dhe pika ambulancash që rrezikojnë bllokimin gjatë dimrit, nga veriu në jug.

“Kujdesi parësor është në qendër të vëmendjes sonë ndaj po investojmë jo vetëm në qytet por edhe në fshat, për ambulanca të rehabilituara e me pajisje të reja, në kuadër të programit të rehabilitmit të 300 qendrave shëndetësore”, tha Manastirliu.

Ndaj ndryshimit të kushteve të shërbimit në ambulancën e Lusenit, personeli shëndetësor dhe banorët e zonës u shprehën se investimi ka ndryshuar tërësisht kushtet e shërbimit. 

Pika e ambulancës së Lusenit në Kukës është një prej 80 qendrave shëndetësore dhe ambulancave që do të rehabilitohen brenda vitit me fondet e buxhetit të shtetit. “Me buxhetin e vitit të ardhshëm rehabilitojmë 100 qendra të tjera shëndetësore dhe pika ambulancash për të ofruar shërbim shëndetësor me cilësi, sa më afër vendbanimit të qytetarëve, kudo ku ata ndodhen”, bëri të ditur më tej Manastirliu.