Manastirliu në aeroportin e Rinasit: Nuk ka asnjë rast në Shqipëri, masa të shtuara

29 Janar 2020, 12:15 | Përditesimi i fundit: 2020-01-29 15:38:15

Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të prekur nga koronavirusi", ky është reagimi i ardhur nga ministria e Shëndetësisë për sa i përket një rasti të dyshuar tek një gruaje që ishte kthyer 10 ditë më parë nga Kina, ku pas testimit për koronavirus në laboratorin e certifikuar, rezultoi negativ.

Ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi paraditen e sotme aeroportin “Nënë Tereza”, për të parë nga afër masat e marra për parandalimin e depërtimit të koronavirusit në vendin tonë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kontrolluar në Aeroportin e Rinasit 17 pasagjerë shqiptarë dhe te huaj që kanë udhëtuar nga Pekini dhe Shangai drejt Tiranës, nëpërmjet aeroporteve të tjera. Pas kontrollit të kryer nga njësia e shëndetësisë në aeroport, gjendja e tyre paraqitet e mirë.

“Janë marre masa në pikat kufitare portuale dhe tokësore me ekipe mjekësore dhe epidemiologe që janë në monitorim të situatës dhe raportojnë në kohe reale për çdo rast”, tha Manastirliu.

Ndërkohë ministria e Shëndetësisë njofton se më datë 27 janar është ngritur një task forcë me drejtues të institucioneve shëndetësore, mjekë dhe ekspertë të shëndetit publik, për parandalimin e shpërndarjes së kësaj sëmundje. Drejtues të njësive tona në pikat e kalimit kufitar, përfaqësues të policisë kufitare është shtuar survejanca e sëmundjeve të rënda respiratore në bashkëpunim me gjithë spitalet.