Manastirliu në qendrën e rehabilituar në Kutalli: Shërbim cilësor për 13 mijë banorë të Urës Vajgurore

29 Mars 2019, 18:59

Kutalli, Ura Vajgurore, 29 Mars- Qendra shëndetësore Kutalli, në Bashkinë e Urës Vajgurore ofron sot një standard të ri shërbimi për 13 mijë banorë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pa nga afër investimin në këtë qendër, pjesë e programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore.

“Investojmë jo vetëm për përmirësimin e infrastrukturës në kujdesin parësor, por edhe në programet kombëtare të parandalimit, si, kontrolli mjekësor bazë dhe depistimi i kancerit të qafës së mitrës, për të ulur barrën e sëmundshmërisë dhe për të përmirësuar shëndetin e qytetarëve”, tha Manastirliu.

Qendra shëndetësore Kutalli është një ndër pesë qendrat e rehabilituara me buxhetin e shtetit në qarkun e Beratit, në fazën e parë të programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore. Prej tyre, 2 qendra shëndetësore janë rehabilituar në Bashkinë Ura Vajgurore, 2 ambulanca në njësinë administrative Otllak të Bashkisë Berat dhe ambulanca Lybesh në njësinë administrative Vertop, të Bashkisë Poliçan.

Për vitin 2019 me buxhetin e shtetit do të investohet për rehabilitimin e 100 qendrave shëndetësore dhe ambulancave të reja sipas standardeve më të mira, me synim ofrimin e shërbimit sa më cilësor për qytetarët, afër vendbanimit.