Manastirliu në urgjencën e QSUT: Spitalet në gadishmëri 24 orë për festat e fundvitit

24 Dhjetor 2019, 16:56

TIRANË - Spitalet dhe Urgjenca Mjekësore do të jenë në gadishmëri 24 orë në ditët festive. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila vizitoi në vigjiljen e Krishtlindjes Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

“Gjatë gjithë ditëve festive kemi marrë masat për rastet e urgjencës që mund të ndodhin duke garantuar shërbimin shëndetësor 24 orë në 24 nëpër spitale. Janë marrë masat, për të mos munguar medikamentet dhe ekipi i mjekëve dhe infermierëve do te jëtë në gjendje gatishmërie për festat e fundvitit”, tha Manastirliu.

Urdhëri i ministres përcakton sigurimin e gadishmërisë së transportit mjekësor me autoambulancë për të sëmurët që kanë nevojë për këtë shërbim dhe përcaktimin e listës së mjekëve të gadishmërisë “on call” për secilin shërbim. Gjithashtu në ditët e festave vendoset në gadishmëri edhe shërbimi i autoambulancave dhe Njësisë së Helikopterëve.

Shefi i Shërbimit të Urgjencës në QSUT, prof. Eqerem Hasani tha se janë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e pritshëm në rritje në ditët e festave. Vigjiljen e Krishtlindjes Ministrja Manastirliu e festoi me fëmijët e shtruar në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Festës në Pediatrinë e QSUT-së ju bashkuan aktorët e Teatrit të Kukullave, të cilët realizuan shfaqjen “Tre derrkucët” për të sjellë atmosferën e festës në Pediatrinë e Tiranës. Në repartin e Onko-Hematologjisë në Pediatri u krijua një atmosferë festive me dhurata dhe lojëra me personazhet e dashur për fëmijë.

Ministrja Manastirliu falenderoi ekipin e mjekëve, infermierëve, të gjithë personelin e spitaleve që këto ditë do të jenë në gatishmëri 24/7 për t’iu ardhur në ndihmë atyre që do të kenë nevojë për shërbim shëndetësor.

E.L./Shqiptarja.com