Manastirliu në Urgjencën Kombëtare: Mirënjohje për të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor, lufta nuk ka mbaruar

1 Maj 2020, 12:37

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vizitoi ekipin mjekësor që është në vijën e parë të përballjes me COVID-19, në Urgjencën Kombëtare, ku i falenderoi për punën e jashtëzakonshme gjatë situatës së emergjencës.

"Në ditën e Ndërkombëtare të Punëtorëve zgjodha Urgjencën Kombëtare për të bërë një falenderim dhe për të shprehur mirënjohjen për punën e madhe që ju keni bërë gjatë kësaj kohe. Puna në shëndetësi është si sahat, duhet të funksionojnë të gjitha pjesët e sahatit që çdo gjë të shkoi mirë. Urgjenca Kombëtare është një kollonë kyçe në të gjithë sistemin shëndetësor. Keni përballuar me sukses një sfidë të madhe siç ishte sfida e tërmetit ku së bashku me pjesët e tjera të sistemit është bërë një punë e jashtëzakonshme. Dhe keni përballuar dhe po vijoni të përballoni një sfidë akoma më të madhe siç është kjo që po kalojmë. Edhe në ketë situatë Urgjenca Kombëtare vijon të jetë në krye të detyrës", tha Manastirliu.